Të nderuar zotërinj Ambasadorë Sorecca, Bucci dhe Zingraf,

I nderuar z. Franco,

Të nderuar përfaqësues të Bankës së Italisë dhe Bankës së Gjermanisë,

Zonja dhe zotërinj, miq dhe kolegë,

Kam kënaqësinë t'ju uroj mirëseardhjen në ceremoninë e përfundimit të Projektit të Binjakëzimit 'Forcimi i kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë në kuadër të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian'.

Projekti u prezantua në dhjetor të vitit 2019, dhe u financua nga fondet e Bashkimit Evropian, në vazhdimësi të projektit të mëparshëm 'Identifikimi i nevojave për përafrimin e Bankës së Shqipërisë' - konceptuar dhe udhëhequr nga Banka Qendrore Evropiane, në partneritet me 11 banka qendrore të Bashkimit Evropian.

Në pjesën e parë të vitit 2020, të gjithë ne, u përballëm me shpërthimin dhe përhapjen e shpejtë globale të pandemisë COVID-19. Brenda një kohe të shkurtër, bota ndryshoi rrënjësisht shumë aspekte të normalitetit, të cilat kurrë më parë nuk ishin imagjinuar. Për shkak të situatës së jashtëzakonshme të krijuar, projekti u ndërpre përkohësisht. Megjithatë, duke parë se pandemia do të zgjaste, ashtu si e gjithë bota, ne u përshtatëm me mënyrën e re, atë të punuarit në distancë. Ky realitetet i ri shpejt rezultoi po aq efektiv sa mënyra 'tradicionale e të punuarit'. Kështu, ja dolëm të përfundonim projektin me sukses dhe në kohë.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Programi i Binjakëzimit përfshiu 8 departamente të Bankës së Shqipërisë, të cilët adresuan çështje të rëndësishme, në fushën e:

  • Mbikëqyrjes Bankare dhe Stabilitetit Financiar;
  • Politikës Monetare dhe Statistikave;
  • Kontrollit të Brendshëm;
  • Sistemeve të Pagesave; si dhe
  • Funksioneve të tjera të bankingut qendror, si burimet njerëzore dhe integrimi evropian.

Secili prej komponentëve u pasqyrua në një numër rezultatesh të matshme, në formën e dokumenteve rregullatorë, manualeve dhe rekomandimeve specifike të natyrës politikëbërëse. Prandaj, me kënaqësi vë në dukje se:

  • U miratuan akte nënligjorë për zbatimin e standardeve të Basel III dhe Direktivës për Kërkesat e Kapitalit;
  • U hartuan dokumente dhe udhëzues të rinj për politikën me qëllim përafrimin me rekomandimet e Bordit Evropian të Rrezikut Sistemik;
  • U publikua dokumenti i përmirësuar i Politikës Monetare;
  • U hartuan akte nënligjorë dhe manuale të rinj me qëllim përafrimin e statistikave monetare të Bankës së Shqipërisë dhe të llogarive financiare me kërkesat e Bankës Qendrore Evropiane;
  • U zhvilluan akte nënligjorë, manuale, dokumente të politikës dhe plane trajnimi për harmonizimin e veprimtarisë së auditimit me standardet e BQE-së dhe ato të SEBQ-së;
  • U hartua akti i ri nënligjor me qëllim zbatimin e Direktivës për llogaritë e pagesave;
  • U hartuan manuale të rinj për përafrimin me standardet e BQE-së si dhe kuadri i mbikëqyrjes së sistemit të pagesave të Bakës së Shqipërisë;
  • U zhvillua një analize e hendekut të ndjekur nga një hartë gjurmimi për sistemin Target 2 të BQE-së (ECB Target 2 sytem);
  • U hartuan udhëzime të reja për përafrimin me standardet e BQE-së në lidhje me proceset e rekrutimit, rekrutimin e aplikantëve nga jashtë dhe kushtet e punësimit të stafit;
  • U struktura një hartë gjurmimi për të përcaktuar rolin dhe sfidat e Zyrës së Integrimit Evropian.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Më lejoni të bëj disa falënderime për të gjithë institucionet dhe ekspertët e përfshirë në këtë angazhim dhe projekt të përbashkët. Së pari, dëshiroj të falënderoj Komisionin Evropian, mbështetja e të cilit mundësoi financimin e këtij projekti. Jam i bindur se Komisioni do të vijojë të na mbështesë edhe në nisma të tjera të që do të ndërmarrim në të ardhmen, me qëllim përfarimin dhe progresin në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Falënderoj në mënyrë të veçantë, Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë për asistencën e tyre të vyer gjatë periudhës përgatitore të projektit. Shpresoj dhe uroj që Këshilli i BE-së do të miratojë së shpejti kuadrin për hapjen e negociatave me Shqipërinë, duke shënuar kështu një fazë të re në procesin e integrimet të Shqipërisë në BE.

Dëshiroj të falënderoj Bankën e Italisë, për angazhimin e saj afatgjatë në mbështetjen e institucionit tonë. Puna shkëlqyer e kryer nga ekspertët italianë meriton lavdërime të veçanta, veçanërisht në rrethanat aktuale të jashtëzakonshme të pandemisë. Kështu, përfitoj nga rasti të falënderoj personalisht Drejtuesin e Projektit, z. Zeloni dhe Këshilltarin Rezident të Binjakëzimit, z. Gola, për angazhimin dhe mbështetjen e tyre në realizimin e këtij projekti.

Sigurisht, i jemi mirënjohës Bankës së Gjermanisë, për pjesëmarrjen e saj aktive në këtë projekt dhe për rolin e saj drejtues në projektin rajonal për 'Fuqizimin e Kapaciteteve të Bankave Qendrore të Ballkanit Perëndimor në përafrimin me Sistemin Evropian të Bankave Qendrore'. Gjithashtu, falënderoj Bankën Kombëtare të Rumanisë dhe Bankën e Francës për përfshirjen e tyre specifike në këtë projekt. Ne besojmë se bashkëpunimi me këto dy banka do të forcohet më tej në të ardhmen.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për stafin e Bankës së Shqipërisë, i cili kapërceu vështirësitë e shkaktuar nga pandemia Covid-19, dhe ja doli të përfundojë me sukses këtë projekt në të gjithë objektivat e tij të përcaktuar.

Dëshiroj të mbyll fjalën time duke siguruar se Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në rrugën e saj për konvergjimin e shpejtë me modelin e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore. Ne jemi besimplotë se ky është kontributi më i mirë që mund të japim për vendin tonë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian - një objektiv strategjik që e kemi përfshirë në planet tona të punës për vitin 2021 dhe më tej. Jam i sigurt se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë në të ardhmen dhe mbështetja e udhëheqja evropiane do të na shoqërojë në çdo hap që hedhim drejt integrimit në familjen e përbashkët evropiane.

Faleminderit!

Attachments

  • Original document
  • Permalink

Disclaimer

Bank of Albania published this content on 18 January 2021 and is solely responsible for the information contained therein. Distributed by Public, unedited and unaltered, on 18 January 2021 11:49:05 UTC